image Jep dorëheqje i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën

Botë

Politikë/ Jep dorëheqje i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën

news image

Kurt Volker ka dhënë dorëheqje nga pozita e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, disa ditë pasi u përfshi në një polemikë mbi vendimin e presidentit, Donald Trump për të bllokuar ndihmën ushtarake për Kievin.

Universiteti shtetëror i Arizonës, ku Volker punon, konfirmoi raportimet e CNN, The New York Times dhe disa mediave tjera, se Volker ka dhnë dorëheqje.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e kanë konfirmuar këtë lajm.

Emri i Volker është përmendur në ankesën e një informatori, i cili ka alarmuar mbi vendimet e Trumpit me Ukrainën, ku sipas informatorit, presidenti amerikan ka bllokuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, shtet i cili po lufton me separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të vendit, që prej vitit 2014.

Dhoma e Përfaqësuesve po ashtu ka kërkuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo që të dorëzojë dokumentet e nevojshme për hetimet lidhur me procedurën e shkarkimit të Trumpit.

Demokratët kanë nisur procedurat për shkarkimin e Trumpit, pas një bisede ndërmjet tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksiy.

Në telefonatën e 25 korrikut, Trump thuhet se i ka bërë presion homologut ukrainas, Zelensky, për të hetuar rivalin e tij kryesor nga Partia Demokratike, Joe Biden.

Demokratët thonë se presidenti Trump ka kërkuar ndihmë nga jashtë për të njollosur Bidenin – i cili shihet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe se ka përdorur ndihmën ushtarake për Ukrainën si mjet për të bërë pazare./Gazeta Sinjali/