Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme elektronike ka vendosur që të enjten e ardhshme me datë 23 korrik, të mbahet vazhdimi i seancës plenare.
Në këtë seancë do të diskutohet situata financiare e Telekomit.
“Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Nëse Komisioni për Buxhet dhe Transfere arrin të kryej punën e tij, pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance, pritet të jetë shqyrtimi i dytë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020./ Gazeta Sinjali/