Kuvendi Komunal i Skenderajt ka organizuar seancë solemne për nder të 13 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në fjalën e tij, kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, tha se populli shqiptar është shembulli më i mirë i mosdorëzimit për kërkesën e të drejtës fondamentale.
Jashari ka përkujtuar sakrificën e familjes së tij, masakrat në Çirez dhe Likoqan, Reçak, Krushë të Madhe, Has e në vende të tjera të Kosovës.
“Në 13 vjetorin e shtetësisë sonë kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjtë të Adem Jasharit dhe familjes së tij, masakrat në Çirez dhe Likoqan, Reçak, Krushë e Madhe, Has dhe të tjerat mbi popullin e pafajshëm liridashës”.
Ai falënderoi NATO-n për përkrahjen që i tha luftës së UÇK-së më 1999 dhe tha se Kosova ka nevojë për secilin prej nesh.
“Falënderojmë NATO-n dhe shtetet mike që mbështetët luftën e shenjtë të UÇK-së, pavarësinë, zhvillimin dhe integrimin e shtetit tonë. Shteti ynë pas 13 viteve ekzistencë ka nevojë për secilin nga ne”, tha Jashari./Gazeta Sinjali/