Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili sot në një konferencë për media tha se duhet të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale.
Ai tha se nuk është çështje e Kurtit që t’i caktojë udhëheqësit e sindikatave në Kosovë, duke shtuar se një gjë e tillë po ndodh për herë të parë në Kosovë.
“Nuk është çështje e Kurtit dhe as e ministrave se kush do t’i udhëheqë sindikatat, sepse për këtë gjë vendos anëtarësia. Është hera e parë në 20 vitet e fundit që një njëri që e udhëheq shtetin, në këtë rast kryeministri, të angazhohet në punët e sindikatave. Është vullnet i anëtarësisë. Unë jam krenar që udhëheqi SBASHK-un. Unë nuk shikoj çfarë thotë qeveria por angazhohem me stafin të realizoj kërkesat e tyre. Është hera e parë në historinë e Kosovës, pasluftës, që po ndodhë kjo”, tha Jasharaj për Sinjalin.