Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka nisur një letër për deputetët e Parlamentit të Kosovës, nëpërmjet së cilës ka kërkuar angazhim të tyre, që të ketë dialog mes Qeverisë dhe sindikatës.
“SBASHK-u vazhdon angazhimet që të gjendet mundësi për dialog e marrëveshje me Qeverinë, për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, e për të mos pasur nevojë për greva e protestë të përgjithshme“, thuhet në letrën e SBASHK-ut.
Në apelin e SBASHK-ut të nënshkruar nga kryetari Rrahman Jasharaj, tutje thuhet: “Të nderuara deputete, të nderuar deputetë të parlamentit të Republikës së Kosovës SBASHK-u dhe sindikatat tjera duke respektuar zërin e anëtarësisë së tyre me muaj të tërë janë angazhuar, edhe përmes BSPK-së, që të kenë dialog me Qeverinë e për të arritur marrëveshje të pranuar për kërkesat legjitime të të punësuarve në arsim dhe në sektorët tjerë“.