image Janjiq: Kthimi i Listës Serbe në Kuvend dëshmon se është dobësuar pozicioni negociator i Vuçiqit

Rajon

Janjiq: Kthimi i Listës Serbe në Kuvend dëshmon se është dobësuar pozicioni negociator i Vuçiqit

news image

Kthimi i paparalajmëruar i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës po shihet si sinjal i dobësimit të pozitës negociuese të Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Analisti politik Dushan Janjiq thotë se ky kthim dëshmon që Serbia është dobësuar në negociatat për zgjidhjen e krizës në Kosovë është dobësuar.

Janjiq ka thënë se Vuçiq ka vendosur që Listën Serbe ta kthejë në institucionet e Kosovës për të shtyrë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të planifikuara për 18 dhjetor.

“Vuçiq e kuptoi se lëvizjet e tij në dhjetë ditët e fundit, kur bëhet fjalë për largimin nga institucionet e Kosovës si dhe ngritjen e tensioneve me historitë për dronët, nuk dhanë fryt. Në bisedimet me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it ai pranoi t’i kthejë serbët në institucionet e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër shtyjnë zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës dhe shtyjnë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve” – ka vlerësuar Janjiq.

Sipas tij, kthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës do të jetë një mundësi për atë parti që të “pastrohet nga kuadrot” me punën e të cilëve populli serb dhe bashkësia ndërkombëtare ishin të pakënaqur.

Ai shtoi se po vjen “shpërbërja” e Listës Serbe dhe se përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Janjiq beson se Lista Serbe do t’i kthehet Qeverisë së Kosovës “që do të jetë një shuplakë e madhe për gjithçka që Vuçiq ka bërë dhe ka thënë muajin e fundit”.

“Vuçiq nuk arriti të krijojë një vakum institucional në Kosovë. Tani ai duhet t’i kthejë serbët në institucione për të shmangur zgjedhjet lokale në veri” – beson Janjiq.

Ai pohon se Beogradi “qëlloi mushkonjat me top”.

“Reagimi ndaj provokimit të Albin Kurtit për masën e reciprocitetit për targat ishte i ashpër. Beogradi i tërhoqi serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës, madje edhe nga policia. Është e qartë se anëtarët e QUINT-it i bënë presion Kurtit që të shtyhet zbatimi i vendimeve në veri të Kosovës dhe Vuçiqit të kthehen serbët në institucione” – tha Janjiq për agjencinë e lajmeve, Beta.

Sipas tij, lajmi i vetëm i mirë nga Kosova është se në këtë moment asnjëra palë nuk ka fuqi të shkaktojë trazira.

“Lajmi i keq është se integriteti negociator i Serbisë ka rënë pas vendimit për largim nga institucionet” – ka përfunduar Dushan Janjiq.

/GazetaSinjali/