image Jahti i Abramovichit arrin në shtetin fqinj me Kosovën

Rajon

Jahti i Abramovichit arrin në shtetin fqinj me Kosovën

news image

Jahti “My Solaris” i miliarderit rus, Roman Abramovich ka lundruar në portin e Tivatit në Mal të Zi të shtunën, më 12 mars.

Anija, e gjatë 140 metra, arriti në Mal të Zi disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione dhe vendosi të ngrijë asetet e oligarkëve rusë, përfshirë edhe pronat e Abramovichit.

Sanksionet ndaj pronave të miliarderëve rusë, që gjenden në mbarë botën, u vendosën për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Jahti i Abramovichit është ankoruar jo fort larg marinës së Malit të Zi, pranë Kepit të Seljanovës në Tivat.

Sipas ueb-faqes “Marine traffic”, jahti paraprakisht ishte i ankoruar në Barcelonë. Pas Spanjës, ky jaht lundroi drejt jugut të Italisë dhe më pas arriti në Gjirin e Kotorit, shkruan REL.

Përderisa Perëndimi po vazhdon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Podgorica zyrtare, që i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, ende nuk ka marrë ndonjë vendim që t’i zbatojë ato.

Sipas ligjeve në Mal të Zi, Qeveria duhet të konfirmojë para se të miratojë sanksionet, dhe duhet që t’ua dërgojë institucioneve shtetërore listën e masave që duhet të zbatohen.

Abramovich po ashtu më herët gjatë ditës është pezulluar nga posti i drejtorit të klubit futbollistik anglez, Chelsea, pas sanksioneve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj miliarderit rus.

Më 1 mars, Qeveria e Malit të Zi njoftoi se vendi i ishte bashkuar të gjitha masave kufizuese, përfshirë tetë pakove të sanksioneve të individëve dhe sanksioneve ekonomike që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë.

/GazetaSinjali/