Derisa qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të vitit 2013, projektligji i ri i Shqipërisë “Për Shtetësinë”, krijon mundësinë që të gjithë shqiptarët, edhe të Kosovës, që arrijnë të vërtetojnë origjinën e tyre deri në tre breza, të marrin pasaportën e Shqipërisë.
Sylë Ukshini, ambasador i Kosovës në Shqipëri, sqaron se në cilat raste mund të fitohet shtetësia e Shqipërisë, sipas projektligjit të ri.
“Në konceptin e origjinës, si një nga mënyrat e përfitimit të shtetësisë, është futur lidhja e gjakut deri në tre breza. Pra, të gjithë ata të huaj që jetojnë jashtë, por që arrijnë të provojnë se kanë një lidhje deri në shkallë të tretë me një person me shtetësi shqiptare, do të mund ta përfitojnë nënshtetësinë shqiptare. Pra, lidhja deri në shkallë të tretë është bërë duke pasur parasysh origjinën dhe jo etninë. Kjo nënkupton që dikush nga Kosova apo vise të tjera shqiptare apo edhe në diasporë mund të fitojë shtetësinë shqiptare, nëse arrin të dokumentojë deri në tre breza, p.sh. se stërgjyshi i tij ka pasur shtetësi shqiptare në periudhën mes dy luftërave botërore apo më vonë”, thotë Ukshini.
Projektligji i ri që pritet t’i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë, ka ndryshime thelbësore siç është neni 6, ku parashihet fitimi i shtetësisë me origjinë.
Megjithatë, Ukshini thotë se nuk duhet të ketë pritje të mëdha për këtë projektligj, meqë i njëjti nuk parasheh shtetësi për çdo shqiptar që jeton jashtë territorit shqiptar.
Por që sipas tij, ka disa ndryshime pozitive nga ligji i deritanishëm dhe nëse kalon në shtator atëherë përfitojnë grupe të caktuara.
“Në një bisedë me zëvendësministren Rovena Voda, jam informuar po ashtu se ky projekt ligji është me prioritet dhe që në sesionin e parë të shtatorit pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, duke shtuar se vetë kryeministri Edi Rama i ka dhënë një shtytje dhe prioritet aprovimit të këtij ligji. Ky projektligji “Për Shtetësinë” ofron tri risi, si lidhjen me territorin, lidhjen e gjakut dhe heqja e nënshtetësisë për shkaqe që lidhen me pjesëmarrjen në organizata terroriste. Pasaportë shqiptare do të ketë edhe për investitorët që kanë interes kombëtar, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar”, sqaron Ukshini.
Ai
tregon se në projektligj është futur edhe një koncept tjetër që i takon lidhjes
me territorin.
Fëmijët e lindur në territorin e Shqipërisë por nga prindër që nuk kanë
shtetësi shqiptare, do përfitojnë shtetësinë shqiptare.
Gjithashtu, projektligji i ri parasheh që një i huaj i martuar me shtetas shqiptarë i cili vërteton se ka qëndruar më shumë se një vit në territorin shqiptar, mund ta marr pasaportën shqiptare.
“Pra, çdo kosovar që është i martuar me një shtetase të Shqipërisë që mund të dokumentojë se ka jetuar më shumë se një vit në Shqipëri ka të drejtë të aplikojë me shtetësi shqiptare”, thotë Ukshini, transmeton Sinjali.
Projektligji parashikon dhe rregullon fitimin e shtetësisë me natyralizim, si rast të veçantë, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor./Sinjali/