Teksa vende të tëra janë paralizuar nga karantina e jetët e miliarda njerëzve janë cenuar nga koronavirusi, shumë shpresa janë varur tek ajo që shihet si mënyra më e mirë për fundin e pandemisë: vaksina.
Por ekziston një mundësi, sipas CNN, që ajo të mos zhvillohet kurrë, dhe kjo nuk do të ishte e paprecedent. Në rast se kjo ndodh, atëherë shoqëritë, në vend që ta fshijnë Covid-19, mund të mësojnë të jetojnë me të. Qytetet do të hapeshin ngadalë dhe disa liri do të kthehen nëse ndiqen rekomandimet e ekspertëve.
Testimi dhe gjurmimi fizik mund të bëheshin pjesë e jetës sonë në periudhën afatshkurtër megjithëse një udhëzim i papritur për tu izoluar mund të mbërrijë në çdo kohë. Një mundësi e tillë, sipas gjigantit mediatik amerikan, po merret parasysh me shumë seriozitet nga mjaft ekspertët sepse diçka e tillë ka ndodhur më parë.
“Ka viruse ndaj të cilëve ne ende nuk kemi zhvilluar një vaksinë”, thotë doktor David Nabarro, profesor i shëndetit global në Imperial College London, i cili gjithashtu shërben si një i dërguar i veçantë i Organizatës Botërore të Shëndetit për pandeminë e Covid-19.
“Ne nuk mund të bëjmë supozime absolute se vaksina do të shfaqet apo se do t`I kalojë të gjitha testet e efikasitetit dhe sigurisë”, shton ai. Një numër I madh specialistësh megjithatë janë të bindur se vaksina e Covid 19 do të arrijë të zhvillohet, e këtë bindje të tyre e ushqen dhe fakti që në ndryshim nga sëmundje si HIV-I apo malarja, koronavirusi nuk pëson mutacione aq të shpejta./ Gazeta Sinjali/