image “Iute Credit” thellon borxhin e klientëve – për shtatë ditë u dyfishohet shuma

Kosovë

Dokument/ “Iute Credit” thellon borxhin e klientëve – për shtatë ditë u dyfishohet shuma

news image

Nëse deri të hënën e kaluar i keni pasur 84 euro borxh “Iute Credit”, atëherë sot do të duhet t’i paguani dyfishin e saj. Më saktë fiks 166 euro e 91 cent. Të paktën kështu i është thelluar borxhi një qytetari që kishte marr hua në këtë biznes, shkruan Gazeta Sinjali.

Klienti që kishte marrë më herët mbi 800 euro para tek ‘Iute Credit’ tashmë është futur në telashe që as ‘Iute Credit’ nuk di si të ia zgjedh. Kësaj kompanie i është hequr licenca nga BQK, por përkundër kësaj klientëve të saj po vazhdon t’ua faturojë normën e interesit.

Klienti i ‘Iute Credit’ të hënën e kaluar e kishte afruar borxhin në vetëm 84 euro ndaj kësaj kompanie, por atij borxhi pas shtatë ditëve i është dyfishuar. Nga 84 euro, ai sot i ka 166 euro borxh kësaj kompanie.

Klienti ka dërguar edhe mesazhin që ‘Iute Credit’ i ka dërguar atij.

Por se a ka të drejtë ‘Iute Credit’ që t’ia rrisë normën e interesit këtij klienti, nuk është në dijeni as vetë kompania.

Gazeta Sinjali ka biseduar me zyrtaren e kësaj kompanie, por e cila ka thënë se klienti sqarimet duhet t’i marr në BQK për shkak se ‘Iute Credit’ është nën menaxhimin e saj.

“Për momentin jemi nën menaxhim të BQK-së dhe duhet [klienti v.j] me bisedu me ta dhe me u sqaru. Bile nuk është duke na funksioni as sistemi”, ka deklaruar shkurt zyrtarja nga “Iute Credit” për Gazetën Sinjali.

E pyetur se a kanë të drejtë t’ia shtojnë normën e interesit klientëve të saj, pasi BQK ia ka hequr licencën pikërisht për këtë arsyeja, zyrtarja nga kjo kompani ka thënë se nuk ka informacione të tilla.

“Nuk kam informacione për këtë që po pyetni sepse nuk kam as qasje në sistem”, ka deklaruar ajo për Gazeta Sinjali.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji BQK ua ka hequr licencën “Monegos” dhe “Iute Credit” me arsyetimin se jepnin hua me interes deri në 236 për qind.

Sipas Guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, këto di biznese nuk e kanë zbatuar planin të cilin e kanë paraqitur kur kanë kërkuar licencim. Norma e interesit, sipas rregullores së BQK-së në Kosovë, shkonte deri në 20.3 për qind.

Mirëpo, nga analizat që ka zhvilluar ky institucion, del se këto dy institucione mikrofinanciare kanë aplikuar norma shumëfish më të larta të interesit.

“Sot Bordi i BQK-së duke u bazuar në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin për institucionet mikrofinanciare Monego dhe Iute Credit. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka thënë Mehmeti.

“Devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit që kanë rezultuar më të larta nga ajo që e kanë paraparë në plan. Normat janë jashtë çdo standardi”, kishte deklaruar guvernatori./Gazeta Sinjali/