image Italia si kampione e Evropës me rekord historik në shpërblime - Sinjali

Italia si kampione e Evropës me rekord historik në shpërblime

news image

“Euro 2020” do të hyjë në histori, jo vetëm si evropiani i parë shëtitës, por edhe si edicioni më i pasur.

UEFA akordoi në total një shpërblim për skuadrat pjesëmarrëse në këtë kompeticion 331 milionë Euro, 30 milionë euro më shumë se në vitin 2016 dhe kjo ndodh në një kohë kur e gjithë bota përjeton ende pandeminë Covid-19.

Sigurisht skuadra kampione e Evropës që është Italia do të ketë përfitimin më të lartë, mbi 28 milionë Euro, ndërkohë që gëzojnë shumë edhe klubet që kanë lejuar lojtarët e tyre t’u bashkohen kombëtareve respektive teksa në total do të përfitojnë 130 milionë euro.

Nga skuadrat e eliminuara në Euro 2020, Belgjika përfiton 16.25 milionë Euro e ndërsa Zvicra e Çekia 14.75 milionë dhe Ukraina me 14.25 milionë. Gjermanisë dhe Portugalisë i takojnë vetëm 12.25 milionë Euro ashtu sikurse dhe Kroacisë e Uellsit, ndërsa Franca përfiton 12.75 milionë Euro si Suedia dhe Austria, me Holandën që është pak më para me 13.75 milionë Euro. Danimarka përfitoi 18.25 milionë Euro, 1 milion më pak se gjysmëfinalistja tjetër, Spanja, 19.25 milionë Euro.

Përderisa u përket klubeve, ato sigurojnë përfitime në bazë të numrit të ditëve të qëndrimit në Evropian të lojtarëve të tyre dhe në këtë pikë ato që përfitojnë më shumë janë pikërisht Manchester City e Chelsea që janë klubet me numrin më të lartë të grumbulluarve, ndërsa te Italia spikasin Juventusi, Atalanta dhe Interi. /Gazeta Sinjali Sporti/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: