Italia ka urdhëruar dëbimin e dy atasheve ushtarakë rusë të akuzuar për spiunazh, duke i dhënë një goditje të re marrëdhënieve me Moskën dhe duke e cilësuar rastin si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili njoftoi se qeveria ka vendosur të dëbojë dy diplomatë të ambasadës ruse në Romë, pasi ata dyshohet se janë përfshirë në aktivitete spiunazhi të zbuluara nga Prokuroria e Romës.
Sipas Tajanit, bëhet fjalë për Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov, të cilëve u është kërkuar të largohen nga Italia brenda tre ditësh.
“Moska vazhdon të përdorë luftë hibride për të sulmuar Perëndimin dhe Italinë. Këto janë akte ndërhyrjeje serioze dhe të papranueshme për institucionet italiane dhe sigurinë kombëtare”, deklaroi ai.
Dëbimi i diplomatëve vjen vetëm dy ditë pasi autoritetet italiane njoftuan arrestimin e dy ish-agjentëve të inteligjencës, të cilët dyshohet se i kanë dorëzuar Rusisë informacione të ndjeshme mbi ndihmën ushtarake italiane për Ukrainën.
Sipas Policisë së Romës, një ish-oficer i inteligjencës, 59 vjeç, kishte marrë pagesa nga një ndërmjetës rus dhe i kishte transmetuar informacione konfidenciale të siguruara përmes gjashtë burimeve, përfshirë katër ushtarakë aktivë të vendosur në pozita me nivel të lartë sigurie.
Raportimet e mediave italiane bëjnë të ditur se informacionet e rrjedhura përfshinin të dhëna mbi sistemin e mbrojtjes ajrore italo-franceze SAMP/T, i cili pritet t’i dorëzohet Ukrainës gjatë këtij viti, si dhe mbi raketat Aster që tashmë janë dërguar në Kiev, shkruan Euronews.
Po ashtu, agjentët rusë dyshohet se kanë kërkuar informacione për një mision të NATO-s në Bullgari dhe për kompaninë italiane Avio, e cila prodhon motorë për dronë dhe raketa supersonike.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, ish-oficeri i arrestuar kishte zbuluar edhe identitetet e agjentëve italianë të kundërspiunazhit të angazhuar në monitorimin e aktiviteteve ruse në vend.
Rasti po hetohet nga autoritetet italiane, ndërsa tensionet mes Romës dhe Moskës pritet të rriten pas këtij zhvillimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!