image Italia nis hetimet për shkaqet e aksidentit të teleferikut ku vdiqën 14 persona

Evropë

Italia nis hetimet për shkaqet e aksidentit të teleferikut ku vdiqën 14 persona

news image

Italia ka nisur hetimet për shkaqet që çuan në rrëzimin e kabinës së teleferikut të dielën, si pasojë e të cilës mbetën të vdekur 14 persona.

Kabina ra nga lartësia 20 metra në malin Mottarone, në afërsi të Liqenit Maggiore në veri të Italisë.

13 persona vdiqën në vendin e ngjarjes, përfshirë një fëmijë dyvjeçar. Dy fëmijë tjerë, një nëntëvjeçar e një pesëvjeçar, u dërguan me helikopter në spital në Torino, por nëntëvjeçari vdiq më pas.

Pesë shtetas izraelitë janë në mesin e të vdekurve, thuhet nga Ministria e Jashtme e Izraelit.

Të hënën, mbetjet e kabinës u izoluan dhe teknikët po pritet të nisin hetimet.

Prokurorët në Milano kanë nisur një hetim për vrasje të pavullnetshme dhe neglizhencë. Hetuesit thonë se kanë sekuestruar dokumentacione teknike dhe të mirëmbajtjes nga kompania që operon teleferikun.

Avokati i kompanisë, Ferrovie del Mottarone, ka thënë se janë bërë kontrollet e vazhdueshme dhe është mirëmbajtur teleferiku.

Kabllot nuk ishte paraparë të zëvendësoheshin deri në vitin 2029, ka thënë ai për gazetën “La Repubblica”.

Çdo gjë do të jetë subjekt i kontrolleve teknike në ditët në vijim”, ka thënë prokurori publik lokal Olimpia Bossi. “Ne po bëjmë hetime dhe kontrolle teknike”.

Matteo Gasparini, kreu i forcave malore të shpëtimit në Itali ka thënë se duket se kanë qenë dy probleme të mëdha – prishja e kabllos dhe dështimi i frenave emergjentë.

Sipas raporteve kabllo dështoi rreth orës 12:30 ndërsa kabina po i afrohej fundit të udhëtimit 20 minutësh për në maje të malit nga qyteti Stresa.

Alpinistët në afërsi dëgjuan zhurmën e përplasjes së kabinës në tokë.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se pesë izraelitë vdiqën në këtë aksident. Amiran Biran (30), bashkëshortja e tij Tal Peleg-Biran (26), i biri i tyre Tom Biran (2), që jetonin në Pavia të Lombardisë, si dhe gjyshërit e Peleg-Biranit, Barbara Cohen Konisky (70) dhe Yitzhak Cohen (82), që ishin nga Tel Avivi. I biri pesëvjeçar i çiftit Eitan Biran, është në spital në Torino me lëndime serioze të kokës dhe këmbës.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, e ka përshkruar këtë si “aksident tragjik” dhe ka thënë se po merr përditësime nga zyrtarët lokalë e nacional.

“I shprehi ngushëllime të sinqerta nga gjithë qeveria ndaj familjes së viktimave”, thuhet në deklaratë./Gazeta Sinjali/