Një qytetar nga fshati Osek Hylë në Gjakovë është gjobitur për shkak që ka qenë duke vozitur me familjen e tij dhe maskën e ka mbajtur poshtë mjekrës.
Afrim Gjokaj, anëtari i kësaj familjeje për Gazetën Sinjali ka thënë se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 20:30 dhe se në veturë kanë qenë prezentë 4 persona. Ai madje ka dërguar një fotografi në momentin kur djalit të tij i është shqiptuar gjoba.
Ndërsa, sipas fotografisë së publikuar në Facebook të zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në të cilën sqarohet se kur kanë të drejtë të vendosin maskën dhe kur jo, thuhet se maska nuk është e nevojshme gjatë vozitjes së automjetit personal me njerëz që jetojnë në familjen tuaj.
Por, për këtë familje ka ndodhur e kundërta e asaj se çka është publikuar nga Hoti. Shoferi është gjobitur me një gjobë prej 35 eurosh.
Gazeta Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe me Policinë e Kosovës në Gjakovë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. /Gazeta Sinjali/