image Ish-zëvendëspresidenti amerikan Pence thirret për dëshmi mbi hetimin penal të 6 janarit

Botë

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Pence thirret për dëshmi mbi hetimin penal të 6 janarit

news image

Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë kërkuar dëshminë e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence, në hetimin penal të lidhur me përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve për të penguar transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020.

CNN shkruan se ekipi i Pence ka treguar se ish-zëvendëspresidenti është i hapur për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me Departamentin e Drejtësisë për të dhënë disa dëshmi.

Bëhet e ditur se kjo kërkesë është bërë përpara se Departamenti i Drejtësisë të caktonte një këshilltar special për të mbikëqyrur dy hetime të lidhura me Trump, duke përfshirë hetimin e lidhur me 6 janar 2021 dhe një tjetër për keqpërdorimin e supozuar të materialeve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Trump.

Kujtojmë se Pence kohët e fundit ka botuar një libër me kujtime që përshkruante disa nga ndërveprimet e tij me Trump, teksa ish-presidenti kërkonte të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

/GazetaSinjali/