Shoqëria Lëvizja, në të cilën mblidhen ish-veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet sa më shpejtë rasti i Qerim Kelmendit dhe të dihen porositësit dhe të kapen vrasësit e luftëtarit të orëve të para.
Në komunikatën për media, thuhet se lajmi për vrasjen makabre të atdhetarit dhe luftëtarit të orëve të para të LPK-UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave tjera të Shqipërisë, Qerim Kelmendi – “Dema”, ka shkaktuar dhimbje dhe indinjatë te bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij pa dallim.
Shoqëria Lëvizja konsideron se vrasja ultrakriminale e shqiptarit, që ishte një nga pushkët e para çlirimtare, është përgatitur dhe organizuar nga shërbimet sekrete serbe. “Pak rëndësi ka kush tërhoqi këmbëzën e armës vrastare e kush i vuri flakën benzinës që dogji trupin e ‘Demës’. Urdhërdhënësi është Beogradi me ‘celul at’ e tij informative e operative në Kosovën shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Për Lëvizjen, vrasja e luftëtarit të lirisë, Qerim Kelmendi, është atentat edhe ndaj familjes atdhetare, Kelmendi, ndaj Luftës Çlirimtare për lirinë e Kosovës shqiptare dhe ndaj Republikës së Kosovës.
Shoqëria Lëvizja kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe nga të gjitha institucionet shtetërore që të marrin të gjitha masat dhe të përdorin të gjitha mjetet kushtetuese e shtetërore për zbulimin e kriminelëve dhe për spastrimin e tokës së Kosovës nga, siç i quajnë ata, “celulat” e shërbimeve sekrete serbe dhe nga veprimtaria e organizuar kriminale e këtyre shërbimeve.
“Shoqëria Lëvizja konsideron se nuk ka detyrë më të rëndësishme dhe më të ngutshme se krijimi i sigurisë dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari të Republikës Shqiptare të Kosovës nga veprimtaria kriminale shtetërore e Serbisë, e veglave të saj dhe e çdo veprimtarie tj etër kriminale dhe antishqiptare në tokën tonë”, vijon komunikata.
Shoqëria Lëvizja i shprehu ngushëllime familjes, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të atdhetarit dhe luftëtarit Qerim Kelmendit, dhe mbarë kombit shqiptar.
Në fund, kjo shoqëri kërkon nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që të shpallë ditë zie në Kosovë. /Gazeta Sinjali/