image Ish-ushtari i UÇK-së që jeton nën regjimin e aparatit aspirator: Mos e ndalni, jeta ime varet nga rryma - Sinjali

Ish-ushtari i UÇK-së që jeton nën regjimin e aparatit aspirator: Mos e ndalni, jeta ime varet nga rryma

news image

Qytetarët po përballen me probleme të shumta si pasojë e krizës energjetike. Përveç ngrohjes, dikujt kjo po i shkakton problem edhe në aspektin shëndetësor, shkruan Gazeta Sinjali.

Për Xhemë Rexhepin nga komuna e Vitisë, i cili është nën regjimin e aparatit aspirator, reduktimet po i shkaktojnë probleme. Ai po u kërkon drejtuesve të institucioneve në Kosovë që të tregojnë kujdes me ndaljen e rrymës.

“Jam Xhemë Rexhepi nga fshati Zhiti, Komuna e Vitisë, Republika e Kosovës. Kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe ndihem shumë krenar për këtë, por tash e 13 vite jam i pa levizshëm dhe i shtrirë në shtrat. Jam operuar disa herë, i kam dy kembët e amputuara dhe jam i shpuar në fyt me kanillë trahustome nën rexhimin e aparatit aspirator, i cili aparat funksionon vetëm me rrymë, madje edhe rexhimin e shtratit e kam me rrymë. Jam me plagë shumë shumë të rënda, nën rexhimin e terapisë mjekësore për çdo ditë”, ka shkruar ai në Facebook.

Pavarësisht vështirësive të tjera që ka, ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se jeta e tij është në rrezik për shkak të mungesës së rrymës.

“Si përfaqësuses të institucioneve më të larta shtetërore, ju drejtohem që të tregoni kujdes të veçantë ndaj rasteve të tilla që të pakten mos të kemi redukime të rrymës, sepse jeta ime varet nga energjia elektrike, përkatësisht jetën e kam në pikëpytje po nuk pata energji, pavarësisht se vështirësitë i kam maksimale për t’ja dalë nga dita në ditë, por nëse përballem edhe me mungesë të rrymës elektrike, jeta ime është çdo minutë në rrezik”, ka shkruar ai.

Këtë thirrje publike Rexhepi ua ka drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kreparlamentarit Glauk Konjufca, ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi dhe kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

“Ju drejtohem publikisht, që të mos përballem me redukime të rrymës dhe të keni kujdes për personat që karakterizohen me gjendje të tilla shëndetësore, meqë jeta ime varet nga prania e energjisë elektrike, në këto ditë të dimërit me oscilime të mëdha temperaturale. Sinqerisht, Xhemë Rexhepi, fshati-Zhiti, KK-Viti !”, ka shtuar Rexhepi.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin