Avni Arifi ish-shefi i Kabinetit të Kryeministrit në largim i cili u emërua ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin e kaluar, ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të kabinetit të Ramush Haradinajt ku ai u cilësua si shpenzuesi më i madh në mëditje, aviobileta dhe kredit kartela.
Arifi i cili shërbeu si shef i stafit të Kryeministrit në largim për 20 muaj në faturën e harxhimeve i figurojnë mbi 50 mijë euro shpenzime.
Arifi përmes Facebook-ut është shprehur se këto shpenzime nuk janë personalisht të tij.
“Dua të potencoj se këto nuk janë shpenzime të Avni Arifit e as vetëm të shefit të stafit të Kryeministrit por edhe të shefit për bisedime me Serbinë”, thuhet në reagimin e tij.
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë se shumë nga shpenzimet e dialogut që ai ka udhëhequr me Serbinë janë në shumën totale të shpenzimeve.
“Qeveria në largim nuk kishte ministri për dialog siç kishte Qeveria e mëparshme e as fond të veçantë për bisedime siç kishte gjithmonë. Shumë nga shpenzimet e dialogut që janë krijuar në vitin 2018 janë mbuluar nga ZKM nën emrin tim dhe kartela që unë e kam pasë. Po ashtu në disa raste fatura të ngjarjeve të përbashkëta të kabinetit janë mbuluar nga kartela ime”, ka shkruar Arifi.
Ai ka thënë se mënyra e sqarimit nga Zyra e Kryeministrit është gabim dhe kategorizimi i shpenzimeve është skandaloz.
“Për keqardhje mënyra e sqarimit të shpenzimeve nga ana e Zyrës së Kryeministrit, e edhe më keq kategorizimi i shpenzimeve. Me një kategorizim të tillë tërësisht skandaloz është i kuptueshëm cdo konkluzion edhe kur është i pasaktë”, ka shkruar Arifi.