Sekretari i deritanishëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zeqiri, të enjten rreth mesnate është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Zeqiri dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka të bëjë me dyshimet për abuzim lidhur me një kontratë për shërbime konsulence.
Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas komunikatës së Gjykatës, “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ai të përsërisë veprën”.
Prokuroria dyshon se sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941,985 euro, që është rreth 147,000 më shumë se vlera e paraparë.
Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu shqiptua masa e paraburgimit, por meqë ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.
Pas njoftimit të Prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i sekretarit të Përgjithshëm. Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.
“Unë besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Unë jam në dispozicion të të gjitha institucioneve në çdo kohë, për të provuar pafajësinë time”, ka deklaruar Zeqiri.
Dorëheqja e tij është pranuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe tha se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga Prokuroria dhe drejtësia.
Muhamed Zeqiri ishte zgjedhur sekretar i Përgjithshëm në nëntor të vitit 2020, raport REL.
Muhamed Zeqiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev.