Ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga dhe presidentja aktuale Vjosa Osmani, bënë homazhe sot te shtatorja e Ibrahim Rugovës, ish-presidentit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Presidentja Osmani tha se “dita filloi duke nderuar arkitektin e shtetit tonë”.
“Ai bëri bashkë shtetin e Kosovës. 24 Maji është ditë e rëndësishme sepse afërsisht 3 dekada më herët, qytetarët e Kosovës treguan cili është vullneti i tyre për shtet të pavarur, prandaj, duke marrë për bazë që ishin zgjedhjet e para dhe themeluar institucionet, presidenti Rugova këtë ditë e shpalli Ditë të Presidentit”, tha Osmani para mediave.
Edhe ish-presidentët e quajtën Rugovën arkitekt të shtetit të Kosovës.
“Unë vërtetë mund të them se është një nga ngjarjet e rëndësishme ajo që është zhvilluar në vitin 1992, ishin zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, ishte prova e parë, ishte referendumi i përsëritur i Kosovës për lirinë dhe pavarësisë e saj. Presidenti historik doktor Ibrahim Rugova është ikonë e pashembullt në gjithë epokat”, ka thënë Sejdiu.
Jahjaga gjithashtu tha se 24 maji është ditë e veçantë.
“24 maji është një datë e veçantë sepse neve po kujtojmë një figurë të rëndësishme të popullit të Kosovës, presidentin historik i cili ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, pikërisht me 24 maj 1992. Presidenti Rugova ishte ai i cili udhëhoqi popullin Kosovës në periudhat më të rënda në të cilat neve po ballafaqoheshim si popull dhe shtet në rrezikun e shfarosjes edhe të kombit tonë”, është shprehur Jahjaga.
Edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli është shprehur se ish-presidenti Ibrahim Rugova ka dhënë shumë për demokracinë e vendit.
“Është një ditë përmes së cilës e, kujtojmë presidentin historik dhe veprën e tij. Mos të harrojmë asnjëherë se presidenti historik i Kosovës ka dhënë aq shumë për këtë vend dhe demokraci kështu që ia vlen gjithmonë ta kujtojmë me një manifestim simbolik”, tha Pacolli.
Sot në Kosovë po shënohet Dita e Presidentit, ishte shpallur nga presidenti historik, Ibrahim Rugova.
Në orën 13:00, Osmani së bashku me ish-presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga pritet të vizitojnë edhe Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”./Gazeta Sinjali/