image Ish-polici i dyshuar për grabitje, fyen dhe kanos Sinjalin pas publikimit të lajmit për konfiskimin e drogës në shtëpinë e tij - Sinjali

Ish-polici i dyshuar për grabitje, fyen dhe kanos Sinjalin pas publikimit të lajmit për konfiskimin e drogës në shtëpinë e tij

news image

Arrestimi i dy vëllezërve nga Prizreni, Arianit dhe Flamur Delijaj, recidivistë të veprave penale, të cilët u kapën me drogë të dielën, i vuri në ‘lëvizje’ familjen dhe të afërmit e tyre, për t’i ofenduar e kërcënuar gazetarët e Gazetës Sinjali. Në mesin e tyre ishte edhe babai i dy djemve, që dikur ishte zyrtar policor, Adem Delijaj.

Në një lajm të publikuar në faqen e Gazetës Sinjali në Facebook, ai ka ofenduar e sharë gazetarët, e madje edhe ka kërcënuar.

“Kta lypin me ja q* familjen portale te shitura jan o shok duhet mi zan me naj bezboll mi thy midis”, ia kishte kthyer dikush komentin Adem Delijajt.

E këtë “punë”, ish-polic thotë se nuk do të shkojë larg, e do ta kryej.

Delijaj, djemtë e të cilit sot janë në paraburgim, ishte pjesë e Policisë, vite më parë. Ai nuk arriti të mbante gjatë uniformën e Policisë pasi ishte arrestuar nën dyshimet se ishte i përfshirë në një rast të grabitjes.

Adem Delijaj

Ky nuk është kërcënimi i vetëm që ka ardhur në adresë të redaksisë, pas raportimit për arrestimin e dy vëllezërve Delijaj.

Një i afërt i tyre ka telefonuar në numrin kontaktues të Gazetës Sinjali, i cili me një ton të lartë e fjalë ofenduese kërcënon duke thënë se “pa ju çun ë ajr, s’po merrshit vesh”, raporton Sinjali.

“Ju nuk jeni normal, pa ju çu në ajr, ju s’po merrshit vesh. Ma mirë hekni. Ju koket idiota, gabela, njerëzit ma. Robtë jau shker*****, çka ishit ju”.

Kërcënimet e tilla nga kushdo dhe kurdo, Gazeta Sinjali do t’i denoncojë në Policinë e Kosovës, ashtu siç ka vepruar në të kaluarën.

Djemtë e ish-policit, recidivistë të veprave penale

Dy vëllezërit, Arianit dhe Flamur Delijaj po mbahen në paraburgim, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Arianit Delijaj ka qenë në arrest shtëpiak për narkotikë, në kohën kur është arrestuar nga Policia e Kosovës. Kur zyrtarët policorë kanë shkuar për të monitoruar nëse po respektohet masa e arrestit shtëpiak, të njëjtin e kanë kontrolluar dhe në shtëpinë e tyre kanë gjetur drogë.

Dy vëllezërit, siç mëson Sinjali janë recidivistë edhe për vepra tjera penale tipike të kësaj natyre.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin