Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka kritikuar kryeministrin, Alin Kurti dhe ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia për mënyrën e menaxhimit të situatës me koronavirus në vend.
Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qeveria duhet të organizojë më shumë testime në vend të konferencave, pasi sipas tij virusi nuk ndalet me konferenca.
“Testimet janë politikë ekskluzive e Qeverisë. Janë përgjegjësi direkte e Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Vitia. Nuk mund ta organizojë askush tjetër këtë. Nuk është punë e mjekëve, por është çështje që kërkon lidership politik – e që kjo Qeveri shihet qartazi se nuk e ka. Konferencat për media, sado që mund ta qetësojnë publikun, nuk e ndalin virusin”, ka shkruar Ismaili.
Tutje, Ismaili ka thënë se qeveria u tregua e shurdhër ndaj rekomandimeve të OBSH-së për të bërë më shumë testime.
“Qeveria Kurti u tregua e shurdhër edhe ndaj rekomandimeve të OBSH-së për sa më shumë testime, sepse virusi nuk mund të luftohet – kur nuk e di se ku ndodhet ai. Albin Kurti dhe Qeveria tij janë spektatorë dhe pandemia është betejë e qytetarëve dhe e mjekëve. Për Kurtin, mjafton të na porosisë që të mbyllemi në shtëpi dhe t’i lajmë duart, se do të kalojë”, ka shkruar Ismaili.
Kosova ka shënuar 362 raste me koronavirus deri më tani, me 59 të shëruar e 7 viktima./Gazeta Sinjali/