image Ish-drejtoresha në Komunën e Klinës dhe tre asamblistë dënohen për mosdeklarim të pasurisë - Sinjali

Ish-drejtoresha në Komunën e Klinës dhe tre asamblistë dënohen për mosdeklarim të pasurisë

news image

Ish-drejtoresha në Komunën e Klinës dhe tre asamblistë janë dënuar me 1 mijë e 200 euro.

Secili është dënuar me nga 300 euro gjobë, për shkak se nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë në Agjencinë kundër Korrupsionit. Ndaj dy prej tyre, gjykata ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për kohë të caktuar.

Ish-drejtoresha e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë në Komunën e Klinës, Njomza Grabanica, asamblistët Avni Gashi, Xhevxhet Berisha dhe Shqipnora Dauti janë shpallur fajtorë pasi e kanë pranuar fajësinë në procese të ndara gjyqësore, që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Gjykatën Themelore të Pejës, dega Klinë.

Aktgjykimet i ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, derisa vendimet i ka marrë gjykatësja Sabrije Rraci.

Ish-drejtoresha Njomza Grabanica është dënuar me 300 euro dhe ndalim të ushtrimit të pozitës zyrtare, pasi e kishte pranuar fajësinë se nuk kishte deklaruar me kohë pasurinë. Mirëpo, në këtë rast, gjykata nuk ka caktuar kohëzgjatjen e ndalesës së ushtrimit të funksionit zyrtar.

Sipas aktakuzës e pandehura derisa ishte në pozitën e Drejtoreshës së Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi në Komunën e Pejës e kishte deklaruar pasurinë me vonesë dhe jashtë afatit ligjore dhe atë më 30 qershor 2020.

Edhe asamblisti i AKR-së, Avni Gashi është dënuar me 300 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve zyrtare për një vit. Ai në proces gjyqësor e kishte pranuar fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i cili kishte propozuar ndalimin e funksioneve zyrtare ndaj të pandehurit.

Gashi akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me dhjetë ditë vonesë në kundërshtim me ligjin dhe afatet ligjore.

Gjykata e Klinës e ka gjykuar edhe asamblistin e Vetëvendosjes, Xhevxhet Berisha, i cili në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën e Klinës, ishte deklaruar i fajshëm për mosdeklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sabrije Rraci, i pandehuri është gjykuar me 300 euro gjobë, të cilin detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimit të bëhet i formës së prerë. Ndaj tij, nuk ka shqiptuar ndalimin e ushtrimeve të funksioneve zyrtare.

Berisha akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me 11 ditë vonesë.

“Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, parasheh dënim me gjobë ose me burg deri në 3 tri vjet. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin