image Isa Mustafa thotë se ka ende mundësi për koalicion me VV-në, por me një kriter

Kosovë

Koalicion/ Isa Mustafa thotë se ka ende mundësi për koalicion me VV-në, por me një kriter

news image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ende ka hapësirë për marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen. Megjithatë, ai ka thënë se kjo parti s’lejon nënçmim.

“Jo pse ne kemi ndonjë nevojë të veçantë apo të domosdoshme që të bashkëqeverisim, por sepse qytetarëve të Kosovës u duhet një qeveri. Mirëpo në asnjë rast nuk do të lejojmë që LDK-ja të nënçmohet”, ka thënë ai.

“Ne kemi thënë që do të pranojmë se do të heqim dorë nga secila Ministri e jona mirëpo vota jonë pastaj lidhet me një program qeverisës, me sigurinë qeverisëse, që ajo qeveri të udhëhiqet mirë dhe mbi të gjitha duhet të komunikojmë”, ka thënë Mustafa në KTV.

Ai ka thënë se kur është fjala për kryetar të Kuvendit, situata ka qenë ndryshe, meqë si parti e parë VV-ja e ka pasur të drejtën kushtetuese ta propozojë kryetarin.

Mustafa po ashtu e ka quajtur veprim të një anshëm propozimin e më pas zgjedhjen e Glauk Konjufcës në postin e kryeparlamentarit.

“Menduam se ishim shumë afër, por kur i dëgjonim deklaratat e tyre u kuptua se ishte tërheqje prapa. Edhe kjo sot që ndodhi është një veprim i njëanshëm i VV-së, jashtë marrëveshjeve që ne kemi pasur deri më tani. Jo, asnjë marrëveshje s’ka pasur për kryetar të Kuvendit por ne kemi vlerësuar që nëse VV del me propozimin e saj për kryetar të Kuvendit, meqë sipas Kushtetutës është VV ai subjekt politik i parë që ka të drejtën ta bëjë propozimin e kryetarit, atëherë ne ta votojmë këtë sepse ne nuk shohim asnjë arsye që ne të mos japim kontributin tonë për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Mustafa./Gazeta Sinjali/