Analisti politik, Branimir Kërstiq është përgjigjur me ironi pyetjes se çka i dallon serbët e veriut nga e gjithë bota, për të qenë të vetmit që nuk paguajnë rrymën të cilën e shpenzojnë.
“Meqë serbët janë popull qiellorë, rryma atyre iu vije nga Zoti”, ka thënë Kërstiq.
Sipas tij, nuk janë vetëm serbët në veri që nuk paguajnë për rrymën e harxhuar, por edhe shqiptarët, të cilët siç tha ai, përbëjnë 15 për qind të popullsisë në veri.
Ai shtoi se deri vonë ka pasur donacione, sidomos nga shtetet nordike për rrymën në veri, mirëpo me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, këto donacione janë ndërprerë dhe fatkeqësisht qytetarët e Kosovës, përjashtuar këtu pjesën veriore, ndihen të vjedhur dhe të pabarabartë në raport me qytetarët e veriut.
“Sa i përket serbëve në veri të Kosovës, shumica prej tyre mendojnë se rryma është nga Zoti. Kështu që meqë serbët janë popull qiellor, kjo rrymë atyre iu vjen nga Zoti.… Atë që qytetarët e Kosovës nuk duan ta shohin, e që është realitet, është se 15 për qind e qytetarëve në veri të Kosovës janë shqiptarë, të cilët poashtu nuk e paguajnë energjinë. Rryma definitivisht nuk është nga Zoti dhe kjo është e qartë për secilin dhe unë mendoj që nëse deri tani kanë ekzistuar buxhetet e shteteve nordike, nëse deri tani shteti i Serbisë ka dhënë donacion për energjinë e harxhuar, me ardhjen e qeverisë së Albin Kurtit donacionet e tilla nuk janë më dhe shoqëria kosovare, përkatësisht secili qytetar në Gjilan, Prishtinë etj, për fat të keq ndihet i vjedhur dhe jo i barabartë në raport me qytetarët në veri”, ka thënë Kërstiq, për KP.
Ai u shpreh i sigurtë se në kuadër të bisedimeve të Brukselit, pagesa për energjinë në pjesën veriore do të ndodhë deri në fund të këtij viti dhe me rëndësi është që deri atëherë të mos ketë probleme, por të mbretërojë situatë e qetë. Ai tha poashtu se pagesa më e madhe e energjisë po shënohet në mjediset me popullatë shumicë serbe në Kosovën qendrore, përkatësisht në regjionin e Gracanicës dhe të Brezovicës.
“Ajo që është shumë e sigurtë pagesa për energjinë do të ndodhë dhe se me marrëveshjen e Brukselit e cila akoma nuk është e precizuar detajisht, por që pritet në muajin qershor të ndodhë, në mënyrë që deri në fund të këtij viti të fillojë së pari regjistrimi i kompanisë ofertuese që do të bëjë pagesat për energjinë në veri të Kosovës, e që për një gjë të tillë duhet edhe infrastruktura e cila është mjaft e rrënuar, pastaj aty ka shumë korrupsion sa i përket shpenzimit të energjisë, do të thotë është një situatë komplekse, mirëpo përderisa të jetë situata e qetë, dhe përderisa të bisedohet, do t’i vije radha edhe pagesës së energjisë elektrike… Shteti i Kosovës, respektivisht korporata nacionale shtetërore e cila është në bashkëpunim me kapitalin turk, pagesën më të madhe po e regjistron pikërisht në mjediset me popullatë shumicë serbe në Kosovën qendrore, si në regjionin e Gracanicës, Shtërpcës përkatësisht Brezovicës”, sqaroi analisti Kërstiq.
Ndryshe, qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që nga paslufta nuk paguajnë energjinë. Thuhet se shpenzojnë rreth 12 milionë euro energji elektrike në vit, ndërsa një kohë të gjatë barra për faturat e tyre kishte rënë në konsumatorët e qyteteve tjera të Kosovës.