Irani ka mohuar deklaratat e fundit të nënpresidentit amerikan JD Vance se do të lejojë rikthimin e inspektorëve bërthamorë në vend, pas raundit të parë të bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tensioneve.
Autoritetet iraniane theksuan se nuk është dhënë asnjë angazhim i ri për rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Ministria e Jashtme e Iranit sqaroi se çdo inspektim do të kryhet vetëm në përputhje me procedurat e miratuara nga Parlamenti dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duke nënvizuar se Teherani nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për programin bërthamor.
Deklarata vjen pas komenteve të nënpresidentit amerikan JD Vance, i cili tha se inspektorët mund të kthehen “që sot” në Iran, duke e paraqitur këtë si një hap përpara në negociatat e fundit.
Megjithatë, Teherani e cilësoi këtë si pretendim të pabazë dhe theksoi se vendimet e tij mbeten të pavarura.
Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkruar si një “bazë shumë e mirë” për një marrëveshje të mundshme brenda 60 ditëve për uljen e tensioneve. Si pjesë e negociatave, Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar përkohësisht shitjet e naftës iraniane, duke lehtësuar disa nga sanksionet e vendosura që prej vitit 1979.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!