image IPK po pret ta marrë rastin e kompletuar për bashkëshortin e ish-deputetes së LVV-së që u suspendua nga puna në Polici - Sinjali

Kërcënimi/ IPK po pret ta marrë rastin e kompletuar për bashkëshortin e ish-deputetes së LVV-së që u suspendua nga puna në Polici

news image

Policia e Kosovës e ka suspenduar nga puna Fisnik Millkun, punonjës i stafit civil në PK dhe bashkëshort i ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millakut, pas mbështetjes që ia bëri një thirrjeje të një komentuesi për t’i djegur me benzinë presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka pohuar se Policia nuk e ka kompletuar ende këtë rast në tërësi për t’ua dorëzuar atyre.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar informacionin dhe lidhur me rastin në fjalë punonjësi i PK-së (zyrtar i stafit civil) me vendim të Policisë së Kosovës është suspenduar përkohësisht”, thotë IPK.

“Rasti i kompletuar pritet të dërgohet nga Policia e Kosovës në Inspektoratin Policor të Kosovës”, theksohet në përgjigjen e Inspektoratit Policor dërguar Gazetës Sinjali.

Policia nuk ka njoftuar se ka hapur ende ndonjë rast për mbështetjen kërcënuese të zyrtarit policor Fisnik Millaku. Rrjedhimisht, ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Sinjali nëse është hapur rast ndaj tij dhe nëse i njëjti është marrë në pyetje për këtë çështje.

Millaku ka vlerësuar se “Kurrgjë të keqe” nuk kishte thënë një person i cili komentoi në një postim të tij se presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa duhet të digjen me benzinë.

O ska gjynah tek kta, kta duhet mi la me benzin mi rjep, e mi kryp te trash e mi kall, edhe pak osht bile, qka jan ka i bajn kti populli, nga Hasha e Is putini e deri tek ma i vogli, kta nuk rrine rahat, po duhet urgjent mu mobilizu, e mu qu ne kam i madh e vogel, me kan vetem nje njeri qe udheheq e ai eshte Albin Kurti”, kishte shkruar një komentues në postimin e Millakut.

Kurgja te keqe nuk tha”, kishte shkruar Fisnik Millaku poshtë komentit kërcënues duke e përkrahur këtë thirrje dhe duke i dalë në mbrojtje komentuesit.

Sipas një urdhërese të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, u ndalohet të gjithë pjesëtarëve të saj të komentojnë nëpër rrjetet sociale.

Paraprakisht, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, nuk i është përgjigjur Gazetës Sinjali për këtë rast, duke e ndalur telefonin. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin