Inspektorati Policor i Kosovës po merret me rastin e përfshirjes së dy zyrtarëve policorë në një përleshje fizike me qytetarët që ndodhi sot në Mitrovicën e Veriut.
IPK konfirmon për Gazetën Sinjali se me t’u informuar për këtë rast kanë dalë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Gjatë ditës së sotme Gazeta Sinjali raportoi se si pasojë e përleshjes fizike njëri prej qytetarëve është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa njëri prej zyrtarëve policor në vetmbrojtje ka shkrepur një plumb në ajër.
“ IPK sot në orët e pasdites ka pranuar informacionin se një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare së bashku me një zyrtar tjetër policor kanë pasur një mosmarrëveshje – incident me disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se njëri nga zyrtarët policor në vetmbrojtje ka shtënë me armë zjarri në ajër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të IPK-së për Gazetën Sinjali.
Lidhur me këtë rast është kontaktuar edhe prokurori kujdestar dhe është hapur rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’.
“Hetuesit e IPK-së të cilët janë akoma në vendin e ngjarjes në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet më tej në përgjigjen e IPK-së.
Ende nuk dihen arsyet e përleshjes së dy zyrtarëve policorë me qytetarët. /Gazeta Sinjali/