image Intervistohen kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, kjo është renditja në bazë të poenave

Drejtësi

Intervistohen kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, kjo është renditja në bazë të poenave

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar procesin e intervistimit të kandidatëve për Kryeprokurorë të Shtetit.

Paneli vlerësues në përbërje: Jetish Maloku, Kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarët e KPK-së, po ashtu anëtarë të këtij paneli, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq, sot kanë intervistuar pesë kandidatët që kanë aplikuar dhe janë konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas komunikatës së KPK-së, secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit.

“Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen nga ky medium publik”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim:

  1. Blerim Isufaj;
  2. Shqipdon Fazliu;
  3. Kujtim Munishi;
  4. Armend Hamiti;
  5. Lulzim Sulejmani.

“Në pajtim me Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

/Gazeta Sinjali/