Kryesuesi i komisionit parlamentar hetimor lidhur me procesin e privatizimit, Hajrullah Çeku, në një konferencë për media ka prezantuar punën dhe veprimet e këtij komisioni, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se dëshmitarët që janë të ftuar për të dhënë dëshmi, kanë obligim ligjor dhe moral t’i përgjigjen ftesës për të dëshmuar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
“Tashmë kemi hyrë në muajin e dytë të punës ku janë marrë disa vendime, siç është edhe plani i punës gjashtë mujore. Po ashtu është miratuar lista e dëshmitareve. Në të njëjtën kohë kemi angazhuar edhe katër ekspertë të jashtëm. Gjithashtu kemi grumbulluar një sërë dokumentesh nga AKP. Kemi miratuar listën e parë me 21 dëshmitarë, që janë ish-ministra, drejtorë dhe ish-drejtorë të AKP. Ndërsa, intervistimi i tyre nis nga 12 tetori”, tha Çeku.
Kryesuesi i komisionit ka thënë se në grupin e dytë për intervistim bëjnë pjesë pronarë të atyre ndërmarrjeve që kanë privatizuar dhe gazetarë që kanë ndjekur procesin në atë kohë.
Sipas tij, në këtë proces hetimor përfshihen edhe qytetarë, palë të treta për të siguruar dëshmi dhe prova të privatizimit.
Ky Komision tashmë ka bërë publik edhe emrat e dëshmitarëve nga grupi i parë. /Gazeta Sinjali/