image Pesë ndërmarrjeve me Spinoff Special u tërhiqen aksionet

Biznes

Pesë ndërmarrjeve me Spinoff Special u tërhiqen aksionet

news image

Pesë ndërmarrjeve më Spinoff Special u janë tërhequr aksionet. Kjo për shkak se nuk i kanë përmbushur kushtet e marrëveshjes. Këto ndërmarrje janë: “Lamkos Stele”, “Xim Stezovci”, “Grand Hoteli” dhe “Magnezite Mine Goleshi”, ndërsa ndërmarrjes “Agro Kosova Holding”, që i janë tërhequr aksionet, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës ka vendosur masën e sigurisë deri në vendimin përfundimtar.

Kështu është përgjigjur AKP përmes një përgjigjeje me shkrim. Aleanca Kosovare e Bizneseve ka thënë se këto ndërmarrje u përmbahen me zor këtyre kërkesave, ato kanë nevojë për përkrahje të qeverisë dhe AKP-së.

Me Spinoff Special në Kosovë janë privatizuar 26 ndërmarrje nga të cilat, 21 janë liruar nga marrëveshjet e zotimeve. Zëdhënësi për informim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Veton Hajdini, përmes postës elektronike njoftoi për Radio Kosovën se sipas kontratës së shitjes, deri në 6 muaj pas lirimit, AKP ka të drejtë që të kërkojë informata mbi aktivitet që janë duke zhvilluar këto ndërmarrje, por nga ajo që shihet, pjesa dërmuese e tyre të liruara nga marrëveshjet, janë aktive.

Në përgjigje të AKP-së thuhet se pesë ndërmarrjeve, u janë tërhequr aksionet për shkak të mosplotësimit të kushteve të marrëveshjes. Këto ndërmarrje janë: “Lamkos Stele”,” Xim Stezovci”, “Grand Hoteli” dhe “Magnezite Mine Goleshi”, ndërsa ndërmarrjes “Agro Kosova Holding”, që i janë tërhequr aksionet, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ka vendosur masën e sigurisë deri në vendimin përfundimtar. Po ashtu, AKP i ka thënë Radio Kosovës se vlera totale e investimeve të bëra dhe të pranuara me raport të auditimit është mbi 176 milionë euro.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se gjatë procesit të privatizimit, ka pasur shumë turbulenca në kohë të ndryshme për shkak të politikave të gabuara siç i quan ai “eksperimentale”, duke i arsyetuar ato ndërmarrje që nuk kanë mundur t’i plotësojnë kërkesat.

“Mendoj se kompanitë që janë ende në mbikëqyrjen e AKP-së me Spinoff Special janë duke i plotësuar me zor ato kërkesa, por mendoj se qeveria dhe AKP duhet të ketë tolerancë ndaj këtyre kompanive po ashtu edhe të ketë tolerancë edhe shumë më shumë”, thotë Shahini.

Duke kritikuar udhëheqjen aktuale të AKP-së, Shahini tha se kjo agjenci duhet të ripërtërijë stafin me kuadro të reja që kanë vizion më të qartë të tregut.

“Duhet punuar me vizion të ekonomisë së tregut dhe jo me vizion të ekonomisë së planifikuar nga e kaluara. Shumicën e rasteve ka pasur raste që kanë marrë vendime politike dhe kjo e ka dëmtuar imazhin e vendit për investitorët e huaj dhe ata të Kosovës”, tha Shahini.

Ndërkaq sipas AKP-së, ndërmarrjet aktive që po vazhdojnë me Spinoff Special, janë mes tjerash, “Përparimi”, “Sanflauër oil”, “Banja e Kllokotit”, “Peja Brejvëri” ,” Ferronikeli”, “Rahoveci Vajnëri” e të tjera.

/GazetaSinjali/