image Inspektorati demanton drejtorin e Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës

Kosovë

Përgënjeshtrim/ Inspektorati demanton drejtorin e Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës

news image

Inspektorati Policor i Kosovës ka demantuar drejtorin e Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, lidhur me realizimin e aksionit të së shtunës për arrestimin e policit Ajet Keqolli dhe qytetarit Naser Shillova të dyshuar për veprën penale të detyrimit.

Zyrtari i lartë në Drejtorinë e Policisë së Kosovës, Riza Shillova, i kontaktuar nga Gazeta Sinjali për të konfirmuar nëse ka lidhje familjare me të arrestuarin Naser Shillova, ai e ka mohuar një gjë të tillë, madje ka shtuar se qytetari është arrestuar nga Njësia e Hetimeve e Policisë e drejtuar prej tij.   

 “Dëgjo, njësia që e udhëheqi unë e ka arrestu”, ka thënë drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova.

Por, deklarata e Shillovës është përgënjeshtruar nga Inspektorati Policor i Kosovës, pasi Gazeta Sinjali ka kërkuar sqarime nga ky institucion se pse nuk e ka përfshirë në komunikatën për medie edhe angazhimin e policisë, respektivisht njësinë e hetimeve të udhëhequr nga Shillova.

Lidhur me këtë çështje, Inspektorati ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë fare në këtë rast.

“Operacioni i koduar me emrin Haraçi është realizuar  nga hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së duke përfshirë hetimin, arrestimin dhe realizimin e masave të fshehta. Policia e Kosovës nuk ka qenë e involvuar në hetimin e këtij rasti.”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj policit Ajet Keqolli dhe qytetarit Naser Shillova, të cilët u arrestuan të shtunën në Prishtinë, nën dyshimin për marrje të haraçit.

Siç ka raportuar Gazeta Sinjali mbështetur në burimet brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ata dyshohet se kishin kërkuar rreth 35 mijë euro haraç nga viktima R. A (emër i njohur për redaksinë) me qëllim që t`ia mundësonin atij ta shfrytëzonte banesën që e kishte blerë nga një suharekas, por që nuk kishte arritur ta posedonte asnjëherë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/