Vaksinimi me vaksinën antiCOVID në Kosovë ka filluar gjatë javës së kaluar. Të parët që u imunizuan kundër koronavirusit ishin punonjësit shëndetësorë, ndërsa sot filloi vaksinimi i personave mbi 85 vjeç.
Mirëpo, në vend nuk është duke u bërë asnjë test për të kontrolluar nëse pacientët kanë imunitet ose jo ta përballojnë këtë vaksinë, para se ta marrin kurën.
Infektologu, Hamdi Ramdani, po e sheh këtë me shqetësim, pasi që sipas tij dhënia e vaksinës në këtë mënyrë paraqet rrezik për shëndetin e të vaksinuarve.
Ai paralajmëroi se vaksinimi pa testet paraprake COVID-19, mund të shkaktojë komplikime shëndetësore te personat e caktuar.
“Nuk po bëhen testimet paraprake COVID-19 dhe veç po vaksinohen njerëzit. Nuk e di pse po ndodh kjo te ne, pasi në botën perëndimore kjo bëhet. Duhet të bëhet testi për të pa nëse personi ka imunitet apo jo, mos rastësisht ende është virusi në organizëm dhe personi nuk e din që e ka pasi nuk ka simptoma. Mund të ndodh që virusi COVID-19 të jetë në organizëm dhe ta bësh vaksinën, atëherë është një rrezik shumë i madh dhe të lindin komplikimet e ndryshme”, tha Ramadani për Telegrafin.
Ai vlerësoi se kjo metodë e testimit nga ana e personelit shëndetësor është gabim profesional.
“Mendoj që kjo është një gabim profesional, pasi paraprakisht çdo person që bën vaksinë duhet të testohet për antigjen COVID dhe për imunitetin e tij. Ai që është pozitiv me COVID nuk guxon me marrë, pasi rreziku është shumë i madh. Është rrezik pasi futen dy viruse paralel. Askujt s’duhet t’i japin vaksina antiCOVID nëse nuk bëhen testime paraprake në këtë drejtim. Ata që e bartin virusin nuk kanë shenja dhe simptoma dhe nëse e marrin edhe vaksinën ka rrezik shumë të madh”, tha infektologu Ramadani.
Ndërsa, i pyetur se a lejohen gratë shtatzëna që ta marrin vaksinën antiCOVID-19, ai tha:
“Nuk i kanë përjashtuar nga programi gratë shtatzënë. Shumë vaksina kanë edhe ndryshim nga njëra dhe tjetra. Kjo AstraZeneca nuk iu ka rekomanduar moshës më pak se 65 vjeç, e tash po thonë që duhet të merret, d.m.th. ka lëvizje të vazhdueshme në kuptimin se ku duhet të jepet. Nuk është përjashtuar mundësia e dhënies së vaksinës te gratë shtatzëna. Te rastet e shtatzënive është mirë një konsultim te gjinekologu para se ta marrin vaksinën”.
Ndryshe, sot ka filluar vaksinimi i personave të moshuar mbi 85 vjeç në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat e Kosovës, ndërsa nga 11 prilli pritet që të fillojë vaksinimi antiCOVID-19 edhe i grup-moshave nga 80-84 vjeç./Gazeta Sinjali/