Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka treguar rreth mutacioneve të virusit COVID-19 dhe përhapjen në Kosovë.
Ai theksoi se vaksinimi është tejet i rëndësishëm për mbrojtjen nga efektet që mund t’i shkaktojë virusi.
Ai tregoi se mutacionet e viruseve janë të mundshme dhe format e rënda të cilat manifestojnë ndryshime në mushkëri po lënë pasoja të rënda për pacientët.
Sipas Vishajt, prania e infeksionit në mushkëri që zgjat te pacientët në të ardhmen mund të ketë vështirësi në rikuperim dhe rikthim në normalitet sepse dëmtimet janë të mëdha.
“Mutacionet e viruseve janë të mundshme. Ne formën e fundit mutante ende nuk e kemi dokumentuar te pacientët tanë. Por, kjo nuk do të thotë që ai nuk është në mesin tonë. Format e rënda të cilat manifestojnë ndryshime qoftë në mushkëri po lënë një situatë të vështirë për pacientët tanë. Thuajse dy muaj pasi që kalojnë sëmundjen kanë vështirësi derisa të vinë te rikuperimi”, tha Vishaj.
“Vaksina ka rolin të parandalojë infeksionin dhe ka rolin e jashtëzakonshëm në qoftë se ndodhë infeksioni pacientët mos ta kalojnë formën e rëndë dhe mos të përfundojnë me vdekje dhe të mos kenë invaliditet”.
“Jemi duke e vërejtur se te pacientët që zgjat prania e infeksionit në mushkëri, këta pacientë në të ardhmen kanë vështirësi të mëdha me rikuperimin e tyre dhe rikthimin në normalitet sepse dëmtimet janë të mëdha sa që disa pjesë të mushkërive iu dalin edhe prej funksionit”, shtoi ai.
“Normaliteti varet nga gatishmëria e qytetarëve për t’u vaksinuar. Sa më shumë që të vaksinohemi koha për t’u kthyer normaliteti shkurtohet dhe ajo vjen vetëm përmes vaksinimit”, tha Vishaj.
Ndërsa, drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurie Zhubi, ka treguar se kur mund të dhurojnë gjak personat që janë prekur nga COVID-19.
Ajo ka bërë apel te popullata që të dhurojnë gjak sepse është më se i domosdoshëm për pacientët e shtrirë në spital.
“Nëse flasim për dhurim të gjakut mund të themi që pas kalimit të sëmundjes 14 deri në 30 ditë nëse pacienti nuk ka pasur simptoma të sëmundjes dhe nuk ka pasur ankesa atëherë ai mund të kyçet në dhurimin vullnetar të gjakut për arsye se forma të lehta të sëmundjes kalojnë më lehtë dhe lënë pasoja më të pakta te pacientët të cilët kanë kaluar virusin”, tha Zhubi për EO./GazetaSinjali/