Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për gazetarët, pasi njoftoi kallëzimin penal ndaj Autoritetit të Dosjeve.
Meta tha gjatë konferencës se Autoriteti i Dosjeve ka kryer të paktën 6 vepra penale, ndërsa ka nisur ndaj tij një sulm në favor të kryeministrit Edi Rama.
“Siç kisha paralajmëruar, sot kam depozituar kallëzim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve lidhur me shkeljet flagrante të ligjit nga ana e tyre në shërbim të Edi Ramës kundër meje”, tha Meta.
Anëtarët e këtij autoriteti kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale të cilat janë: Shpërdorim detyre; Falsifikim i dokumenteve shtetërorë; Falsifikim kompjuterik; Falsifikim i vulave, stampave, formularëve; Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik dhe zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete të kryera në bashkëpunim.
Ndryshe, Meta tha se ai ishte qelibar, me me një të shkuar të bardhë si dëbora.
“Është një sulm i hapur kundër pluralizmit politik. Mua më bëjnë nder se e kaluara ime është dëborë e bardhë. Kur këta falsifikojnë dokumentet e atyre viteve mendoni ç’bëjnë me firmën e tyre”, tha ai drejtuar gazetarëve.