image IKD: Gjykatësit e Supremes vazhdojnë të marrin shtesa në kundërshtim me ligjin

Drejtësi

IKD: Gjykatësit e Supremes vazhdojnë të marrin shtesa në kundërshtim me ligjin

news image

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Ligjshmëria përfitimeve në Gjykatën Supreme të Kosovës”.

Hulumtuesja e IKD-së, Anesa Hoxha, tha se ky raport është rezultat i monitorimit sistematik të punës së sistemit të drejtësisë në Kosovë që e bën IKD, ku me fokus të veçantë në këtë raport është analizuar çështja e ligjshmërisë së përfitimeve të gjykatësve në Gjykatën Supreme të Kosovës përmes kompensimit të tyre për angazhime brenda dhe jashtë orarit të punës si dhe aktivitetet jashtë sistemit gjyqësor.

Autori i këtij raporti, hulumtuesi Lavdim Bajraktari tha se përkundër miratimit të ligjeve shumë të avancuara siç është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të has në pengesa.

Sipas tij, edhe pse ky ligj ka përcaktuar ndalesa të qarta për zyrtarët e lartë publik në Kosovë, ku hynë edhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme, ata kanë vazhduar që në kundërshtim me ligjin, të realizojnë edhe mijëra euro në emër të shtesave, mëditjeve e kompensimeve, krahas pagës së tyre bazë.

Gjithashtu, Bajraktari tha se në raste të caktuara nuk janë përfillur as ndalesa të përcaktuara me Kushtetutë, siç është rasti i ndalimit të gjyqtarëve të ushtrojnë detyra në institucione tjera publike jashtë pushtetit gjyqësor.

Një çështje tjetër që është trajtuar në raport, Bajraktari tha se janë avancimet në Gjykatën Supreme. Ai tha se praktika e ndërtuar në këtë rast, e avancimit të gjyqtarëve nga shkalla e parë direkt në Supreme, pa kaluar fillimisht nga Gjykata e Apelit si shkallë e dytë, lë shije të hidhur në profesionalizmin dhe integritetin e supozuar të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Në fund, Bajraktari tha se edhe mënyra se si një pjesë e gjyqtarëve të Supremes kanë deklaruar të ardhurat e tyre, nuk është në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, i cili ligj kërkon që secila e ardhur të deklarohet sipas shumës, llojit dhe burimit të saj, kurse në praktikë, shumë gjyqtarë të ardhurat i kanë deklaruar pa i ndarë siç e kërkon ligji. Një deklarim i tillë, sipas tij, e bën të pamundur për publikun të identifikojë se sa nga të ardhurat që gjyqtarët kanë pranuar kanë qenë pagë e sa nga to kanë qenë shtesa, mëditje e kompensime tjera.

Ndërsa hulumtuesi i lartë në IKD, Yll Zekaj, tha se nisur nga gjetjet e këtij raporti, si IKD kanë dalë me disa rekomandime për institucione sikurse, Qeveria, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Agjencia Kundër Korrupsion.

Zekaj tha se i rekomandojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që gjatë plotësim/ndryshimit të kornizës ligjore, të sigurohet që e njëjta të jetë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht me dispozitat kushtetuese ku kërkohet që gjyqtari nuk mund të ushtrojë ndonjë funksion në institucionet shtetërore jashtë gjyqësorit, të jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet politik ose ndonjë aktivitet tjetër të ndaluar me ligj.

Po ashtu, Zekaj tha se i rekomandojnë KGJK-së që në pajtim me obligimet kushtetuese, të sigurohet që gjyqtarët të mos caktohen në mekanizma shtetërorë të cilët cenojnë integritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor si dhe i njëjti Këshill, në pajtim me obligimet që dalin nga Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, të sigurohet që gjyqtarët të mos marrin kompensime shtesë gjatë orarit të punës, dhe në raste kur kjo nuk zbatohet mekanizmat e sistemit gjyqësor të iniciojnë procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve.

Lidhur me këtë, Zekaj tha se KGJK-së i kanë rekomanduar që të bëj plotësim/ndryshimet në legjislacionin e saj sekondar ashtu që të ndalojë pagesat shtesë për angazhimin e gjyqtarëve në komisione gjatë orarit të rregullt të punës, në mënyrë që të harmonizohen këto rregulla të brendshme me kornizën ligjore e kushtetuese në Kosovë.

Po ashtu, ai tha se edhe vet gjyqtarët e Gjykatës Supreme konform dispozitave ligjore, duhet të mos marrin shpërblime shtesë për punët që kryejnë gjatë orarit të rregullt të punës si gjyqtarë, përveç kompensimeve për udhëtim dhe kompensimeve që lidhen me to.

Sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsion, Zekaj tha se kanë dalë me rekomandime për këtë institucion, që i njëjti mënyrë proaktive të zbatojë mandatin ligjor në inicimin e procedurave ndaj gjyqtarëve që shkelin Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik si dhe të mos pranojë si të rregullta formularët për deklarim të pasurisë që nuk janë konform ligjit për deklarimin e pasurisë.

Ndërsa, Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zekaj tha se i kanë rekomanduar që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre të mbaj llogaridhënës AKK-në, lidhur me zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik./GazetaSinjali/