image IKD: Nëntë kandidatë për kryetarë të komunave kanë probleme me ligjin

Kosovë

IKD: Nëntë kandidatë për kryetarë të komunave kanë probleme me ligjin

news image

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar emrat e kandidatëve për asamble dhe për kryetar të komunave, të cilët bazuar në rastet e monitoruara evidentohen si kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, transmeton Gazeta Sinjali.

Ky publikim është bërë gjatë ditës së sotme në kuadër të raportit “Integriteti i kandidatëve për Kryetarë të Komunave – Analizë e kandidatëve për Kryetar të Komunave që kanë probleme me ligjin”.

Më 17 tetor 2021 do të mbahen zgjedhjet lokale në gjithsej 36 komuna. Sa i përket këtyre zgjedhjeve, IKD ka analizuar emrat e të gjitha kandidatëve për kryetarë të këtyre komunave dhe ka verifikuar nëse të njëjtit kanë probleme me ligjin, në kuptim të aktakuzave aktive dhe dënimeve të formës së prerë (në tri vjetët e fundit dhe dënimet më të vjetra sesa tri vjet).

Në këtë analizë, nuk janë përfshirë kandidatët të cilët kanë pasur aktakuza, por që më pas janë liruar nga akuza me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se edhe në këto zgjedhje, partitë politike nuk kanë pasur vullnetin për t’i pastruar listat nga kandidatët për kryetar të komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. Sipas gjetjeve të IKD-së, nga partitë e mëdha, përjashtim në këtë rast bënë LDK-ja.

“Nga të gjithë kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave, IKD ka identifikuar një kandidat i cili në tri vjetët e fundit ka dënime të formës së prerë, një kandidat me një dënim më të vjetër se tri vjet derisa tetë kandidatë të tjerë janë duke u ballafaquar me aktakuza aktive”.

“Sipas partive politike, IKD ka gjetur se partitë politikë të cilat kanë kandiduar më së shumti persona të cilët kanë probleme me ligjin janë AAK dhe PDK me nga tre kandidatë, pasuar nga LVV me dy kandidatë dhe NISMA me një kandidat. IKD nuk ka identifikuar ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së që ka probleme me ligjin”, thuhet në kumtesën e IKD-së.

Po ashtu, IKD ka gjetur se nga 36 komunat e Kosovës, në tetë prej tyre për kryetarë të komunave kanë kandiduar persona të cilët kanë apo kanë pasur probleme me ligjin. /Gazeta Sinjali/