image IKD: Deklaratat e dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të pakuptueshme

Drejtësi

IKD: Deklaratat e dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të pakuptueshme

news image

Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.

Në mënyrë që të mos identifikohet dëshmitari me kodin W03593, janë mbuluar pamjet dhe zëri është modifikuar.

Mirëpo, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) , ka vlerësuar se modifikimi i tepruar i zërit i ka bërë deklaratat e dëshmitarit pothuajse të pakuptueshme.

Megjithëse e mbështet mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve në rast të tilla, IKD vlerëson se derisa seanca është e hapur, publiku i gjerë duhet të jetë në gjendje të dëgjojë dhe kuptojë këto deklarata.

“Një gjë e tillë e ka bërë të vështirë për publikun, për pjesën ku është e hapur seanca, që të informohet mbi zhvillimet në DhSK, si dhe për mediat që të raportojnë saktë për deklarimet e dëshmitarëve pranë Speciales. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e mbështetë mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve në raste të tilla pranë DhSK. Për aq sa seanca është e hapur, IKD konsideron se publiku i gjerë duhet të jetë në gjendje të dëgjojë deklarimet e dëshmitarëve.”

“Në këtë drejtim, identiteti i dëshmitarëve, marrë parasysh edhe masat tjera mbrojtëse, mund të sigurohet edhe pa e modifikuar zërin kaq substancialisht sa t’i humbasë kuptueshmëria. Duke qenë se identiteti i dëshmitarëve mund të mbrohet edhe pa modifikuar zërin skajshmërisht, IKD bën thirrje që deklarimet e dëshmitarëve në seancat e radhës të jenë më të kuptueshme për publikun e gjerë. Megjithëse jo për identitetin e tyre, publiku ka të drejtë të jetë i informuar saktë mbi deklarimet e dëshmitarëve, në procese të tilla penale me interes të gjerë publik”, thuhet në reagim./Gazeta Sinjali/