Reshjet e shiut të cilat filluan paraditen e së premtes e ku vazhduan edhe sot, duke shkaktuar vërshime në disa pjesë të vendit pritet të ndalen, raporton Gazeta Sinjali.
Koordinatori dhe parashikuesi i motit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës Besim Aliu, theksoi se në javën e ardhme pritet edhe një ulje e temperaturave, pasi hyjmë në stinën e vjeshtës.
“Reshjet e shiut do të ndalen dhe do të kemi pastaj ulje të temperaturave në dy vlerat ekstreme si minimalet ashtu edhe maksimalet. Do të jenë temperatura tipike vjeshtore meqë edhe në fundin e javës së ardhshme hyjmë në stinën e vjeshtës dhe këto temperatura do të jenë më të ulta krahasuar me javët që po i lëmë pas”, tha Aliu.
Ai theksoi se në cilat rajone janë regjistruar më shumë reshje. Këto reshje më shumë janë regjistruar në Malishevë në Ferizaj dhe në perëndim. Këto reshje tashmë janë duke e zvogëluar intensitetin.
Koordinatori dhe parashikuesi i motit në Institutin Hidrometeorologjik, shtoi më tej se reshjet e mëdha të shiut që kanë përfshirë vendin mbrëmë dhe sot kanë shkaktuar vërshime të mëdha në Kosovë.
Dy komunat më të prekura janë ajo e Gjakovës dhe Rahovecit.