image IHMK: Edhe sot do të ketë reshje shiu, situata do të stabilizohet ditëve në vazhdim

Kosovë

IHMK: Edhe sot do të ketë reshje shiu, situata do të stabilizohet ditëve në vazhdim

news image

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar pas vërshimeve të djeshme në qytetin e Pejës, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut kanë mbetur të vdekur dy persona, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas IHK-së, situata e rënduar me vërshime në Pejë, ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1 ore e 9 minuta kanë rënë 54.6 mm.

IHK thotë se kjo sasi e reshjeve për interval kohor aq të shkurt, është e pashmangshme pa shkaktuar vërshime.

“Gjatë orëve të pasdites (e shtunë 24/06/2023), kemi pasur një situatë të rënduar me reshje të shiut sidomos në regjionin e Pejës ku janë shkaktuar vërshime të shpejta. Situata e rënduar me vërshime në Pejë, ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1h e 9 min. (Nga ora: 19:35 deri 20:44), kanë rënë 54.6 mm (l/m2). Kjo sasi e reshjeve për interval kohorë aq të shkurt, është e pa shmangshme pa shkaktuar vërshime, në këtë rast atyre urbane”, thuhet në informimin e tyre.

Po ashtu, Instituti Hidrometeorologjik njofton se lumi Bistrica e Pejës, aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik për përmbytje lumore.

“Lumi Bistrica e Pejës, aktualisht (25/06/2023) nuk paraqet ndonjë rrezik për përmbytje lumore. Niveli në ora 11h ishte 93 Cm, apo afro 2.5 m. nën vlerën e nivelit maksimal, tendencat janë në rënie të ngadalshme”, sqaron Instituti.

“Gjatë orëve të pasdites së sotme dt: 25/06/2023, do të ketë reshje shiu të cilat në pjesën perëndimore dhe verior të vendit do të jenë me intensitet dhe shtrirje më të theksuara. Situata do të filloj gradualisht të stabilizohet gjatë ditëve në vijim.”

/GazetaSinjali/