image Ibishi: Komuna e Prishtinës ka dështuar në menaxhimin e koronavirusit

Kosovë

Siguri/ Ibishi: Komuna e Prishtinës ka dështuar në menaxhimin e koronavirusit

news image

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se Komuna e Prishtinës ka dështuar sa i përket menaxhimit të rasteve me COVID-19. Sipas tij, masat restriktive është dashur të merren më herët nga shtabi i krizës së Prishtinës, me qëllim që ky trend i rritjes të mos jetë në kryeqytet.

Ibishi thotë se masat më të ashpra në Evropë kanë rezultuar me ndalimin e përhapjes së infeksionit me koronavirus.

“Mendoj që është dashur më herë që shtabi i krizës së Prishtinës të merr vendime me Ministrinë e Shëndetësisë, me qëllim që ky trend i rritjes të mos ngritët në kryeqytet në masë kaq të madhe. Dhe normal pritjet janë që mund të ndodhë edhe një rritje më e madhe ditëve në vijim. Prishtina, fatkeqësisht, ka hyrë në një fazë mjaft kritike tash dhe është dashur që të përqendrohen organet kompetente, por komuna ka dështuar në këtë rast shumë”, tha Ibishi.

Ai thotë se komunat e tjera po menaxhojnë mirë situatën pandemike, në krahasim me kryeqytetin, që sipas tij ka dështuar në këtë rast. Ndërkohë, eksperti i sigurisë konsideron që Policia e Kosovës ka kapacitet që të menaxhojë dhe mbikëqyrë lokacionet e komplekset në të cilat ka raste me koronavirus.

“Pres që ditëve në vijim, kryeqyteti të jetë shumë më i përqendruar edhe shumë bashkëpunues edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, por edhe me organet tjera të emergjencës. Me qëllim që të tejkalojë situatën, sidomos në këto vende që janë më shumë me mundësi të prekjes ose të burimeve të infeksioneve”, tha ai.

Ibishi konsideron që kufizimi i lëvizjes dhe pamundësimi i kontakteve duhet të jetë më rigoroz, në mënyrë që të tejkalohet situata.

“Përqendrimi më i madh, jo i vetëm policisë, por edhe me këshilla edhe ministrisë, por sidomos lokal, të jetë që me masa shtesë apo të restrikcionit të pamundësohet lëvizja e njerëzve në vendet ku është burimi i infeksionit, por edhe kur është mundësia e qarkullimit në atë pjesë. Por, edhe masat mbrojtëse, për të cilat fatkeqësisht qytetarët janë neglizhentë dhe nuk po i përdorin sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik”, deklaron Ibishi.

Prishtina ka hyrë në karantinë edhe zyrtarisht nga ora 17.00, pasi banorët e saj dyshohen të kenë pasur kontakte të drejtpërdrejta me personat e infektuar me koronavirus, teksa numri i të prekurve në këtë komunë ka arritur në 47, me një ngritje prej 20 rasteve vetëm në 24 orët e fundit.

Ndërkohë masat policore janë shtuar në lagjen Mati 1, ku tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi janë në mbikëqyrje 24 orësh nga policia.

Deri më tani, në Kosovë janë 283 të infektuar, prej tyre 58 janë shëruar, e shtatë janë viktima si të infektuar me Covid-19./Gazeta Sinjali/