Modeli shqiptar, Mirlind Morina përmes rrjetit social Instagram ka kërkuar ndihmë pasi është paralizuar në fytyrë.
Morina kishte pozuar për revista të njohura, mirëpo tani ai është duke u përballur me një problem shëndetësor, të cilit edhe i duhet të operohet.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Morina njoftoi se për t’iu nënshtruar operimit i nevojiten 65.000 dollarë.
Ai tha se ka vizituar mjekë të ndryshëm dhe ka marrë terapi e trajtime të ndryshme.
“Unë u transferova në New York në 2015 për të ndjekur ëndrrat e mia si model dhe aspirant për aktor. Unë punoja në restorante dhe gjithashtu firmosa një kontratë me një agjenci modelimi, ku më thanë në atë kohë që buzëqeshja ime ishte një nga pasuritë e mia më të forta. Shpesh njerëzit nuk e pranojnë se ka diçka “të gabuar” me fytyrën time, por është jashtëzakonisht zhgënjyese që nuk mund të buzëqesh plotësisht, dhe shprehjet e mia të fytyrës jo gjithmonë përputhen me emocionet e mia”, ka shkruar ai.
Tutje, Morina ka thënë se kjo paralize është shkatërruese për të dhe karrierën e tij.
“Unë jam një djalë i lumtur, i ndjeshëm dhe kjo paralizë e papritur ka qenë absolutisht shkatërruese për mua personalisht dhe gjithashtu për karrierën time. Gjatë dy viteve, kur pashë shumë mjekë të ndryshëm për trajtim dhe terapi fizike, unë rifitova një pjesë të lëvizjeve. Duke u përballur me realitetin zhgënjyes për të mos pasur shërim në sy për veten time dhe karrierën time, vendosa të eksploroj opsionet kirurgjikale”, ka shkruar Morinda. /Gazeta Sinjali/
.