Policia në Gjakovë ia kanë shpëtuar jetën një të riu, i cili kishte për qëllim të kryente vetëvrasje duke tentuar të kërcejë nga një ndërtesë 10-katëshe.
Ai është i moshës së re dhe arsyeja e incidentit dyshohet se ishte për shkak të problemeve që kishte me një vajzë.
Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes, policia pasi ka pranuar informacionin nga qytetarët ka dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe kanë arritur ta bindin të riun që të mos kërcejë.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.
“Rasti ka ndodhur dje, një djalë për shkaqe dashurie, problemet që i ka pasur me të dashurën, ka dashur t’i japë fund jetës së tij. Djali është i moshës së re. Në një ndërtesë që ka qenë në ndërtim e sipër, dikund 10-katëshe. Qytetarët e kanë informuar policinë dhe policia i është përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ka zhvilluar bisedë bindëse dhe ka arritur që ta bindë. Në mënyrën më të butë të mundshme e kanë evituar rrezikun”, tha Gjurkaj.
I riu është dërguar për tretman në QKUK dhe pastaj është transferuar në spitalin psikiatrik “Isa Grezda” në Gjakovë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qytetari është dërguar në spital për tretman. Tash është vendos në spitalin psikiatrik “Isa Grezda” në Gjakovë”, tha Gjurkaj, derisa përgëzoi Policinë për këtë sukses./Gazeta Sinjali/