image I riu në Suharekë dyshohet se bëri vetëvrasje, shkak ndarja nga e dashura

Siguri

I riu në Suharekë dyshohet se bëri vetëvrasje, shkak ndarja nga e dashura

news image

Faton Haxhaj nga fshati Greikoc i komunës së Suharekës ka vdekur sot për shkak të plagëve të marra nga një armë zjarri. Për Sinjalin rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Vesel Gashi, i cili njoftoi se në afërsi të shtëpisë së viktimës është gjetur një kallashnikov.

Vdekjen e 26-vjeçarit, Policia e ka iniciuar si “Vdekje të dyshimtë”, mirëpo Sinjali mëson se të gjitha rrethanat e deritanishme çojnë tek vetëvrasja.

Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se në bazë të pamjeve të kamerave, Haxhaj ka hyrë në një pjesë të shtëpisë dhe e ka marrë kallashnikovin, e më pas është drejtuar për tek shtalla, ku edhe dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.

Sipas të njëjtave burime, i riu nga Suhareka ka vendosur t’i japë fund jetës pasi që është ndarë nga e dashura e tij.

Këto dyshime mbetet të konfirmohen pas realizimit të autopsisë dhe analizimit të provave të mbledhura në vendin e ngjarjes.

Gjithsesi, pista që aktualisht hetuesit po ndjekin është vetëvrasja e jo vrasja siç është raportuar në media më parë, thonë burimet e Sinjalit.

As familja nuk ka dyshime për vrasjen e tij e as miqtë e të ndjerit.

Pjesë e hetimit është edhe analizimi komunikimeve në telefonin e viktimës, veprime këto që pritet ta zbardhin edhe motivin e vetëvrasjes.

Rasti në Polici tashmë është hapur si hetim i vdekjes, apo vdekje e dyshimtë, por megjithatë hetuesit nuk do kufizohen vetëm në pistën e vetëvrasjes.

Zëdhënësi i Policisë, Vesel Gashi ka njoftuar se trupi i pajetë i Haxhajt tashmë është dërguar për obduksion në Institutin Mjekësor Ligjor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë qenë njësitet e Policisë dhe prokurori.

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë, kostum dhe ambiente të brendshme

/GazetaSinjali/