image I riu në Skenderaj rrah shtetasen suedeze me të cilën bashkëjeton, përfundon në Polici

Siguri

I riu në Skenderaj rrah shtetasen suedeze me të cilën bashkëjeton, përfundon në Polici

news image

Në vendin tonë çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku zakonisht viktima janë gratë që keqtrajtohen psiqikisht dhe fizikisht nga partnerët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Skenderaj, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Mitrovicë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një çift të cilët bashkëjetojnë që një kohë dhe madje kanë edhe një fëmijë bashkë.

Por mosmarrëveshjet e shumta që dyshohet se eskaluan në dhunë fizike, kanë bërë që viktima e cila është shtetase e Suedisë, të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se partneri i saj dyshohet që e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në trup.

Viktima nuk ka pranuar që të marrë ndihmë mjekësore, por bashkë me fëmijën e saj është dërguar në strehimore.

Ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/