Rastet e vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të vjedhjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Viktimë e një të riu në fillim të këtij muaji ra edhe një person në Pejë, i cili ushtron veprimtarinë e shoferit të taksisë.
Sinjali mëson se i dyshuari kishte hipur në taksinë që po voziste viktima dhe në mënyrë tinëzare kishte vjedhur nga ai telefonin e tij personal. Viktima posa ka lënë pasagjerin në destinacionin që iu kërkua ta dërgonte, ka vërejtur se telefoni i tij i cili ndodhej në veturë, nuk është më aty.
Përballë kësaj situate, 60-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici dhe pas veprimeve hetimore është arritur që i dyshuari të identifikohet dhe i njëjti më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Para hetuesve policorë, 25-vjeçari ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe i njëjti ka deklaruar se telefonin e vjedhur e ka shitur te një person i tretë, i cili po ashtu u intervistua nga Policia.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’. Ndërsa ndaj të dyshuarit tjetër, i cili me vetëdije kishte blerë telefonin e vjedhur, është iniciuar rasti ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara në kryerjen e veprës penale’.