Rastet e vjedhjeve nëpër markete në Kosovë nuk janë të rralla, por jo gjithmonë kapen personat e dyshuar, pasi të njëjtit arrijnë të ikin. Por ndryshe ka ndodhur në një market në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në Ferizaj, ku një person u kap në flagrancë duke vjedhur, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet ndaj një 24-vjeçari, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në marketin ‘Viva Fresh’.
Sipas burimeve, i dyshuari kishte arritur që t’i marrë pa paguar disa paketime me proshutë në vlere te mbi 50 eurove, por u zbulua nga sigurimi i marketit.
24-vjeçari nuk iu bind urdhrit të sigurimit që të ndalej dhe i njëjti është nisur të ikë në hapësirat përreth marketit. Por pavarësisht tentativës, ai nuk ia doli që të shpëtojë, për shkak se u arrestua nga njësitë policore.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje’.
Pas përfundimit të procedurave policore Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.