Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës i kanë reaguar bashkë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili krahasoi gjyqtarë dhe prokurorë kosovarë me ata të kohës së lider famkeq serb, Sllobodan Millosheviqit.
Gjuha e deputetit e cila është shprehur përmes një postimi më datë 24 qershor, ka bërë që të reagojnë KGJK dhe KPK me një deklarim të përbashkët, ku e dënojnë gjuhën e deputetit.
Në këtë reagim thuhet që “KGJK dhe KPK, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore”.
Këto dy sisteme u kanë kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë pavarësinë e tyre.