image Ia kishte vjedhur paratë pacientit të vdekur, dënohet infermierja në Shqipëri

Shqipëri

Ia kishte vjedhur paratë pacientit të vdekur, dënohet infermierja në Shqipëri

news image

Gjykata e Tiranës e përfundoi me një seancë të vetme gjyqin ndaj një infermiereje të spitalit Infektiv në QSUT, të akuzuar për vjedhjen e parave të një pacienti të vdekur nga COVID-19.

30-vjeçarja, Ronida Hysa, u shpall fajtore nga gjykata për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Ajo u dënua me 5 vjet burgim, dënim që u ul në 3 vjet e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në kërkimet përfundimtare, prokuroria kërkoi dënim me 6 vjet për infermieren Hysa, ndërsa e akuzuara kërkoi ndryshim të kualifikimit të akuzës, raporton a2news.

Ajo kërkoi të fajësohej për “përvetësim të parave që rrjedhin nga vepra penale” dhe se nëse dënohej me burg, dënimi t’i konvertohej në shërbim prove. 

Ndonëse u dënua me burgim, infermierja Hysa nuk do të shkojë në qeli, pasi prej datës 9 shkurt hetimi ndaj saj dhe më pas gjykimi është vijuar në masën e “arrestit në shtëpi”.

Ronida Hysa u prangos në 25 janar të këtij viti, pas denoncimit të djalit të një pacienti që ndërroi jetë në Spitalin Infektiv, i cili pretendoi vjedhje të portofolit dhe zbrazje të llogarisë bankare të të atit.

Hetimi i rastit zbuloi se infermierja kishte përdorur kartën e pacientit, duke tërhequr gati 60 mijë lekë në disa bankomate të ndryshme./GazetaSinjali/