Një fenomen mjaft shqetësues që po shkakton ankth e pasiguri për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, banesa, institucione e madje duke shkuar kryesit e kësaj vepre edhe deri te vjedhja në objekte fetare, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në xhaminë e fshatit Koretin të Kamenicës, ku u vodhën të gjitha mjetet e grumbulluara nga besimtarët.
Faqja zyrtare e kësaj xhamie “Xhamia e Madhe Koretin” e ka cilësuar aktin qyqar, teksa shtuan se sipas organeve të rendit kryesi i veprës ishte profesionist, pasi përveç të hollave, ai i ka larguar edhe pamjet e kamerës.
“Sot pas namazit të ikindisë, në xhaminë tonë kishte ndodhur një akt qyqar, dikush akoma i pa identifikuar paska thyer arkën e xhamisë dhe paska marrë të gjitha të hollat e tubuara aty.Metoda e vjedhjes së saj, nga organet e rendit po cilësohet të jetë metodë e një hajni profesionalist, ngase jo vetëm të hollat e arkës që i ka marrë, por ai kishte marrur edhe mjetin në të cilin ruhen pamjet e kamerave!
I gjori, përveç që ka bërë këtë mëkat të shëmtuar duke vjedhur shtëpinë e Allahut, ai në mënyrë indirekte sikur ka vjedhur nga xhepi i shumë besimtarëve, ngase arka e xhamisë mbushet me kontributin e atyre që falin namazin.
A mediton ai se si ka mundësi që të gjithë atyre tua kërkoj hallallakun edhe nëse pendohet?!
O Zot, udhëzoje atë mendjelehtë dhe bëje që ky të jetë mëkati tij i fundit i kësaj natyre!”, thuhet në njoftimin e tyre.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Ankuesi mashkull kosovar përgjegjës i xhamisë, ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë dëmtuar kasafortën e xhamisë me ç’rast kanë vjedhur paratë dhe një DVR të kamerave. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.